|
Viza nga Albaniada
Nga Fjalori i gjuhes Shqipe - Albaniada
VIZA ( ─ )
Viza kryen disa funksione.
§ 129. Në dialog viza përdoret për të treguar kalimin e fjalës nga folësi te bashkëbiseduesi (shoqërohet gjithnjë me kryeradhë).
Pas një vështrimi të kujdesshëm, Agroni i tha:
─ Duhet te kesh kujdes fytyrën, Dritan.
─ Fytyrën do ta punoj në fund.
─ Unë e kam zor me fytyrën.
─ Edhe unë.
─ Kë ke pasur si model?
─ Babanë!
Shënim. Në qoftë se fjalët e autorit janë në mes të replikës dhe përfundojnë me pikë, atëherë në fillim të pjesës së dytë të replikës vihet vizë:
─ Sikur jemi lodhur, ─ tha Landi. ─ A dalim një herë?
§ 130. Viza përdoret për të veçuar fjalët e autorit në ligjëratën e drejtë. Në këto raste, para vizës përdoret dhe presja kur fjalia është dëftore, ose pikëpyetja a pikëçuditja kur fjalia është pyetëse ose thirrmore. Kur fjalët e autorit hyjnë në mes të fjalisë, përpara vizave vihet presje:
─ Kujdes mos zgjoni fëmijët, ─ u dëgjua zëri i nënës.
─ Ku janë të tjerët? ─ pyeti dikush.
«Fama arrihet me punë të mëdha, ─ thotë Shopenhaueri, ─ ose me vepra të mëdha. ... veprat janë të pavdekshme dhe kur janë me vlerë rrojnë gjithmonë»
§ 131. Viza përdoret për të veçuar fjalitë e ndërkallura. Ndryshe nga kllapat, që mund të përdoren në raste të tilla, vizat tregojnë një shkëputje më të vogël:
Një natë tek hanim darkë ─ ishte e shtunë mbrëma me duket ─ ai i thotë t'et :...
Në atë letër ─ që ishte e para pas largimit të tij nga Lezha ─ ai i shkruante se ishte fare mirë.
§ 131. Në fjali të mëvetësishme që përmbajnë thënie me karakter përgjithësues (proverba, parulla) e në tituj artikujsh,. viza përdoret në vend të foljes këpujë jam:
Besa e shqiptarit ─ si purteka e arit.
Shënim. Kur mungesa e foljes jam ose e çdo foljeje tjetër është e lidhur me kontekstin, d.m.th. kur s'përsëritet se është përdorur më përpara, nuk vihet as vizë, as ndonjë shenjë tjetër pikësimi:
Djali im është i mirë, kurse yti shpirt njeriu.
Në krah mbante një torbë e në dorë një shkop të thatë thane.
§ 133. Viza mund të përdoret edhe para një ndajshtimi të veçuar me kuptim saktësues për ta vënë në dukje më shumë, sidomos kur ndahet nga gjymtyra e përcaktuar prej fjalësh të tjera ose prej një fjalie përcaktore (në këto raste në vend të vizës mund të përdoret edhe presja; shih § 53, § 2).
Më vonë doli një teori e re ─ teoria e «tri botëve», ideolog kryesor i saj ishte Tito.
Socializmi pas 100 vjetësh jetë ra. Pikërisht tani shihet se edhe kapitalizmi është një sistem me të metat e veta. Po kush mendojnë se do ta zëvendësoje ─ demokracia.
§ 134. Mund të ndahet me vizë edhe një përemër a ndajfolje me kuptim përgjithësues që vjen pas vargut të gjymtyrëve homogjene, për ta vënë në dukje më shumë (shih § 43 shënimi 2):
Dashuria dhe malli për atdheun, për shtëpinë, për vatrën ─ ja cilat kanë qenë gjërat më të shenjta për poetin.
Kurorat e pishave që ngiiteshin lart dhe bashkoheshin me shoqja-shoqen, zogjtë që fluturonin mbi kaltërsinë e tyre, era e rrëshirës fieri i dendur që më guduliste kërcinjtë, gurgullimi i përroit ─ të gjitha këto nuk më bënin asnjë përshtypje.
§ 135. Viza mund të përdoret në vepra shkencore, rregullore, udhëzime etj. para fjalive a periudhave që nisin me kryeradhë dhe që rreshtojnë argumentime, fakte, përfundime, detyra etj.:
Aparati pedagogjik i këtyre teksteve ka shumë funksione. Ndër më kryesoret janë:
─ të ndikojë fuqishëm në formimin e nxënësve në përputhje me moshën;
─ t'i aftësojë nxënësit për të analizuar çdo fakt, ngjarje a fenomen;
|