|
Pika nga Albaniada
Nga Fjalori i gjuhes Shqipe - Albaniada
PIKA (•)
Pika shënon mbarimin e një fjalie të mëvetësishme ose të një periudhe që nuk shqiptohet as me intonacion pyetës, as me intonacion thirrmor. Në ligjërimin e folur asaj i përgjigjet një pushim relativisht i gjatë midis fjalive a periudhave.
§ 1. Vihet pikë në fund të një fjalie dëftore (të plotë a të paplotë), si edhe në fund të një periudhe me fjali dëftore të bashkuara pa lidhëza ose me lidhëza bashkërenditëse :
Mbi këto themele po ngrihej Shqipëria e re, e pavarur, demokratike.
(- Ku gjendet ajo tani?) - Në Vlorë.
Do të shërohej, s'kish asnjë dyshim.
Vihet pikë edhe pas një fjale a togu fjalësh me vlerën e një fjalie emërore ose pas një pjesëze po ashtu me vlerën e një fjalie kur nuk shqiptohen me intonacion pyetës a thirrmor:
Duartrokitje. Buzëqeshje. Shpërthime të qeshurash në sallë.
Baraka prej dërrasash. (- Për Arbenin e ke fjalën?) - Po.
§ 2. Vihet pikë në fund të periudhave me fjali të varura prej fjalish kryesore dëftore:
Nata ish aq e errët, sa shpesh u bëhej sikur po kalonin nëpër një tunel.
Këtë vendim s'ia kishte thënë askujt, as Arbenit. Me ne fund, i ishte mbushur mendja që të takohej me Arbenin, tia kallëzonte të gjitha e të merrte mendimin e tij.
§ 3. Përdoret pika edhe në fund të një fjalie të mëvetësishme nxitëse jothirrmore (që nuk shqiptohet me internacion thirrmor), në fund të një periudhe me fjali të tilla të bashkuara pa lidhëza a me lidhëza bashkërenditëse, si edhe në fund të një periudhe me fjali të varura prej fjalish kryesore të tilla. Kjo ndodh sidomos kur fjalia nxitëse shpreh këshillë, porosi, propozim, lejim ose pranim:
Dëgjomë mua.
T'i doni lulet.
Shkojmë në një vend tjetër.
Le të vijë.
Le të dëgjojmë tani e pastaj le t'i diskutojmë edhe propozimet tona.
Flitni, le te shfaqë secili mendimin e vet.
§ 4. Vihet pikë edhe në fund të një fjalie të mëvetësishme dëshirore jothirrmore, në fund të një periudhe me fjali të tilla të bashkuara pa lidhëza a me lidhëza bashkërenditëse ose në fund të një periudhe me fjali të varura prej fjalish kryesore të tilla:
U lumshin duart punëtorëve te ndërtimit.
Dhe tani mirë mbetsh dhe të ndjefsha zërin e mirë.
Këta të pacin më qafe, po të ngjau gjësendi.
Shënim. Mund të vihet pikë edhe në fund të një periudhe të gjatë me një fjali pyetëse ose dëshirore thirrmore si fjali kryesore, nëse kjo është e ndjekur nga shumë fjali të varura, kështu që intonacioni pyetës a thirrmor sa vjen e dobësohet e s'ndihet me rnë fund të periudhës (shih § 20,§ 32):
Po ç'ishte ajo forcë që e mbante plakun të mos përmbysej mbi zjarr, po të qëndronte ashtu, as shtrirë, as më këmbë, gati për t'u zgjuar, me të ndier mungesën e afshit e të flakës.
§ 5. Vihet pikë në fund të një periudhe me pyetje të zhdrejtë:
Ai vetë s'e kuptoi dot ç'e ngriti me këmbë. Pyete kur do të vije.
§ 6. Mund të vihet pikë edhe para një lidhëze bashkërenditëse ose edhe para një lidhëze nënrenditëse, duke u ndarë kështu në dy pjesë një periudhe për arsye kryesisht stilistike, kur kërkohet të vihet më shumë në dukje pjesa e dytë e saj (ndonjëherë edhe kur periudha është shumë e gjatë):
Mjaltonte që ekspedita t'ua bënte një kërkesë të tillë. Mirëpo ajo deshi të bënte gjithçka me duart e veta.
Ai shkruante, midis të tjerash, edhe për këtë. Por kjo nuk ishte kryesorja.
Binte shi. Kurse ata vazhdonin bisedën.
Dhe unë u jepja të drejtë atyre. Dhe s'i kritikoja.
Unë u kisha thënë pastrueseve që asgjë të mos preknin në tavolinë, edhe sikur të gjenin copa letrash të parëndësishme; edhe ato ashtu bënin. Kështu që e kisha fjetur mendjen se askush nuk i prekte letrat e mia. Prandaj mendova se letren e zhubrosur do ta kisha vënë vetë mbi shtrat.
Ai ishte i qetë. Sikur s'kishte të bënte me këto fletë.
Shënim. Ndarja me pikë (si njësi me vete) e një fjalie ose e një togu fjalish me lidhje bashkërenditëse ndodh më shpesh në fjalitë e bashkërenditura me lidhëzat pra, prandaj, andaj, megjithatë, kurse, mirëpo, po, sidomos kur është e gjatë pjesa e parë ose e dytë e periudhës. Gjithashtu në periudhën me nënrenditje mund të ndahet me pikë një fjali e varur - më shumë një fjali shkakore a rrjedhimore - që ndiqet ose jo nga fjali të tjera dhe nis me lidhëzat sepse, se, kështu qe. Rastet e tjera të vënies së pikës para lidhëzash bashkërenditëse e nënrenditëse janë më të rralla. Ato mund të jenë të pranueshme vetëm kur ka arsye të forta stilistike spikatjeje, theksimi.
§ 7. Me anë të pikës, po ashtu, për ta vënë në pah, për të arritur efekte stilistike, mund të ndahet nga fjalia edhe një gjymtyrë ose një tog gjymtyrësh:
Oborri u mbush me këngë. Pastaj me valle. Qeshën. Me të madhe.
Trokasin në derë të Gëzimit. Disa herë me radhë. Erdhi muaji i fundit l shekullit që po mbaronte. Pastaj java e fundit.
Zuri të ecte. Disi i hallakatur, disi i menduar. Këmbët i kishte të rënda. Plumb të rënda.
Petriti u tregua me të i përzemërt. Bile më i perzemërt se zakonisht.
Dhe sigurisht ky takim do t'i sillte dicka të re. Të pakten një lajm, një shpresë ose një udhëzim. Dicka përfundimtare.
§ 8. Pika mund të përdoret edhe në shtjellimet numëruese për të ndarë fjali dëftore ose nxitëse jothirrmore që nisin me kryeradhë dhe kanë në krye një fjalë a thënie të përbashkët, me kuptim të përgjithshëm, të ndjekur nga dy pikat ( : ); në raste të veçanta mund të përdoret edhe për të ndarë gjymtyrë të një lloji, shumë të zgjeruara, në të njëjtat kushte:
Për këtë:
Të punohet për një zhvillim të mëtejshëm të industrisë duke përmirësuar strukturën e saj me degë e prodhime të reja sidomos të industrisë së rëndë përpunuese, për zgjerimin e bazës energjetike dhe të lëndëve të para, për shrytëzimin racional të burimeve e të pasurive të vendit.
Miratohen pa ndryshim dekretet:
Nr. 4998 date 1.7.1972 "Mbi një ndryshim në Ligjin për sigurimet shoqërore të Republikës e Shqiperisë".
Nr. 5009 date 10.11.1972 "Mbi arbitrazhin shtetëror".
Shënim. Në të tilla raste përdoret edhe pikëpresja (shih. § 91) Përdoret më shpesh pika nëse gjymtyrët e numërimit janë shumë të zgjeruara. Vihet vetëm pikë kur njëra prej tyre përbëhet prej fjalish të ndara me pikë.
§ 9. Në fund të fjalive a të periudhave të ndërkallura dëftore të vendosura brenda kllapash nuk vihet pikë:
Priti një farë kohe në heshtje (edhe një sekondë i dukej e gjatë dhe pa mbarim), pastaj, i lehtësuar, ngriti piramidën e arkave.
Po fëmijët erdhën njëri pas tjetrit (nja dy i vdiqën të vegjël) dhe nuk e lanë t'i bëhej krah të shoqit.
Sa kishte thënë pjesën e parë të kësaj fraze të gjatë (jemi te detyruar ta quajmë te gjate, sepse ështe vene re që, sa me të mëdha te jene kantieret, aq më të shkurtra janë frazat), fytyra e Palit u bë menjëherë serioze dhe e menduar.
Shënim. Pas kllapës mbyllëse përdoret po ai pikësim që do të vihej, edhe po të mos ishte fjalia a periudha e ndërkallur, pra pikësimi që kërkon lidhja në mes pjesëve të fjalisë a të periudhës para dhe pas kllapave.
§ 10. Vihet pikë në fund të një fjalie të mëvetësishme dëftore të ndërkallur a të një periudhe të tillë kur kërkohet të dalë relativisht e shkëputur nga fjalia që ka perpara, prej së cilës ndahet me pikë, pikëpyetje a pikëçuditje, dhe nga fjalia që vjen pas; në të tilla raste fjalia a periudha në kllapa fillon me shkronjë të madhe.
Nuk do të ndodhë asgjë. (Kjo vlejti si përgjigje për dyshimet e Arbenit.) Fundja, unë kërkoj nga ju të më ndihmoni.
Sidoqoftë, plaku doli nga spitali dhe ai mbeti sërish vetëm. (Por të mos harrojmë se plaku tetëdhjetëvjeçar kishte lënë pas hijen e trupit të tij të gjatë, me energjinë dhe dëshirën për t'u kthyer medoemos pranë bletëve.) E meqë mbeti vetëm në dhomë, filloi të ëndërronte.
Vihet pikë edhe në fund të fjalive të mëvetësishme a të periudhave të vendosura në kllapa në veprat skenike (fjali a periudha që japin gjestet e personazheve, situatat etj.):
Gjyshja — Po, për bujqësi. (Le dhiskun në vend dhe ulet pranë Shqipes.) E zgjodhi vetë.
Dhora — Ja erdha. (Hyn në kuzhinë.)
Gjyshja - Më rrofsh! Të lumçin duart! (Fut dorën në çantën që ka marrë nga varësja, dhe i jep një mollë.) Urdhëro një mollë nga të xhaxhamadhit.
Shënim. Nuk vihet pikë (dhe asnjë shenjë tjetër pikësimi), në qoftë se të dhënat skenike kanë formën e një fragmenti fjalie ose të një fjalie të varur:
Olimbia - (E alarmuar) E, sa i dhe? Sofia - (Pasi pi ujin) Thashë se vdiqa.
§ 11. Kur pas fjalisë dëftore të mëvetësishme ose pas periudhës me fjali dëftore, vjen, i vendosur në kllapa, referimi i burimit të thënies, pika .(ose pikëpyetja a pikëçuditja) vihet pas kllapave:
Fëmija dukej e zhdukej nëpër degët e holla të qershive (T. Laço).
Kjo është historia më e vjetër e Skënderbeut në latinishte, ashtu siç u shkrua prej autorit të saj (F. Noli, Historia e Skënderbeut. 1921, f.9-10).
Vihet pikë pas referimit burimor të një thënieje dhënë në fund të faqes; po kështu edhe në rreshtimet bibliografike:
A. Xhuvani, Naimi si poet e prozator, «Studime gjuhësore», Tiranë, 1956.
Frashëri, S: Shkronjëtore e gjuhës shqip, Bukuresht, 1886.
§ 12. Vihet pikë (ose pikë e vizë) pas titullit të një nënkapitulli a paragrafi që ndiqet në të njëjtën radhë nga teksti. Po ashtu pas fjalës Shënim, kur ndiqet nga një numër që tregon rendin e shënimeve, pika vendoset pas numrit:
Lufta e dytë Botërore. Ndeshja e parë e miqësore...
Shënim. Po ta kthejmë këtë fjali në ligjëratë të drejtë...
Shënim 3. Disa emra të përveçëm ...
Nuk vihet pikë pas titullit të një vepre, të një gazete, të një kreu a të një nënkreu kur ky s'ndiqet në të njëjtën radhë nga teksti:
Gjenerali i ushtrisë se vdekur
Kur qesh tërë qyteti
Formimi i emrave
§ 13. Nuk vihet pikë (as ndonjë tjetër shenjë pikësimi) në fund të adresave, as pas formulave të përshëndetjes, me te cilat mund të mbyllet letra:
Dritan Dajti
Rruga "Qemal Stafa" 40
Tiranë
Përshëndetje të përzemërta
Petriti
§ 14. Ndiqen rregullisht me pikë (me rrallë me pikë e vizë) numrat romakë ose arabe që shënojnë radhën e një kreu, të një nënkreu a të një paragrafi ose radhën e çështjeve, të pikave të një shtjellimi, rezolute etj.:
I. Drejtshkrimi i zanoreve
5. Organizimi i Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe i kryengritjes së përgjithshme popullore.
§ 117. Format gramatikore të mënyrës dëshirore. 1. Koha e tashme. Format e kësaj kohe...
Parimet që do të përcaktojnë përfshirjen e një fjale në «Fjalor» duhet të jenë:
1. Përdorimi i qëndrueshëm i fjalës në letërsinë e sotme...
2. Përdorimi i qëndrueshëm i fjalëve në veprat e klasikëve të letërsisë...
§ 15. Vihet pikë në datat e plota, pas numrit që shënon ditën dhe radhën e muajit, po nuk vihet pikë pas numrit që shënon vitin:
19.2.1978 ose 19.11.1978
Shënim. Kur muaji shënohet me emrin e tij, nuk ndahet nga dita e viti as me pikë, as me ndonjë shenjë tjeter pikësimi:
20 nëntor 1978
§ 16. Ndahet me pikë numri që shënon minutat, nga ai që shënon orët, kur në mes tyre nuk përdoret lidhëza e;
ora 12.35
§ 17. Pika përdoret si shenjë grafike edhe në disa shkurtime:
a) të emrave të personave, pas shkronjës a shkronjave të para:
F. Noli (Fan Noli), A, Z. Çajupi (Andon Zako Çajupi) etj.
b) të fjaleve që shënojnë titull, gradë, profesion, pas shkronjave të para:
agr. (agronom), akad. (akademik), dr. (doktor) prof. (profesor) kol. (kolonel), z. (zoti), B. Shk. (Bashkëpunëtor Shkencor) etj.;
c) të disa fjaleve të tjera, pas shkronjës a shkronjave të para ose pas shkronjave të para të rrokjeve të ndryshme, në fjalorë, vepra shkencore etj.:
bot. (botanikë), ffr. (frëngjisht), gr. ose greq. (greqisht), it. ose ital. (italisht), kap. (kapitull), mb. (mbiemër), khs. (krahaso), mjek. (mjekësi), f. ose fq. (faqe), sh. (shih), p.sh. (për shembull), b.f. (bie fjala), d.v. (dora vetë), etj. (e të tjera).
Por nuk përdoret pika:
a) në shkurtimet e emrave të njësive të masave:
cm (centimetër), km (kilometër) a (amper), dgr (dekagram), kg (kilogram), hl (hektolitër), l (lek ose litër), t (ton), v (volt) etj.;
b) në simbolet e elementeve kimike:
Cl (klor), H (hidrogjen), Mg (magnezium) etj.;
c) në shkurtimet e emrave të pikave të horizontit:,
L (lindje), P (perëndim), VL (verilindje), JP (jugperëndim) ;
ç) në shkurtimet e emërtimeve të përbëra që shënojnë shtete, organizata, institucione, ndërmarrje etj.:
RSH (Republika e Shqipërisë), ATSH (Agjencia Telegrafike Shqiptare), OKB (Organizata e Kombeve të Bashkuara) etj.
|