|
Pikëpyetja nga Albaniada
Nga Fjalori i gjuhes Shqipe - Albaniada
PIKËPYETJA (?)
Pikëpyetja shënon përfundimin e një fjalie a të një periudhe që shqiptohet me intonacion pyetës.
§ 18. Pikëpyetja përdoret në fund të një fjalie pyetëse të drejtë, si edhe në fund të një periudhe me fjali pyetëse të bashkuara me lidhëza bashkërenditëse ose pa lidhëza:
Nga vini, ore trima? — pyeti plaku që rrinte në një shkëmb pranë rrugës.
Të kem fjetur me gjithë mend? Dalim tani? - tha vëllai.
Në ç'orë do të nisemi për Durrës?
Nga gjithë kjo erë mos është shembur kasollja, e mos e ka zënë plakun brenda ?
Pikëpyetja vihet edhe pas përemrash e ndajfoljesh pyetëse, po ashtu edhe pas pjesëzash pyetëse ose pjesëzash të tjera që përdoren si fjali pyetëse:
Ku? Kur? - pyetën përnjëherësh të dy shokët.
Me kë? - pyeta unë.
E? - pyeti ai me padurim.
Po?
§ 19. Kur vijnë njëra pas tjetrës disa fjali të mëvetësishme a periudha pyetëse të ndryshme, pikëpyetja vihet si rregull pas secilës prej tyre:
Si the? Ku ëshë ajo vajzë?
E bija e kujt është?
Nga është?
Ku punon?
Sa vjeç është?
Kur ka ardhur këtu?
Si e quajnë?
§ 20. Kur ka një pyetje të shumëfishtë, me fjali ose me gjymtyrë të njëjta të bashkuara me lidhëzën veçuese apo ose ndonjë lidhëz tjetër si kjo, pikëpyetja vihet në fund të periudhës a të fjalisë:
I ke të dhëna të sigurta apo flet në erë?
A është më mire apo më keq?
Por vihet pikëpyetja pas secilës fjali pyetëse ose pas secilës gjymtyrë të njëjtë kur kërkohet të theksohet ajo e të dalë me e shkëputur nga fjalia a gjymtyra tjetër, si digka e shtuar: .
Po Petriti a do të ketë ndryshuar gjatë këtyre viteve?
A është edhe tani si i vogël: i urtë, i sjellshëm, i dashur?
Do të vish të martën? Apo të enjten?
§ 21. Kur një pyetje (e pjesshme) me fjalë pyetëse ndiqet nga një pyetje pa fjalë të tilla, pikëpyetja si rregull vihet pas secilës prej tyre:
Ç'të bënte? Te ikte?
Cili dru është me i fortë? Dushku?
E, baba, si u ngryse? Mirë?
Vallë cilin kishte qarë ajo? Të birin? Të vellanë? Të nipin?
Po ke të ndiqte? Naten? Zguret? Përrenjtë dhe prroskat?
Më rrallë, në të tilla raste fjalia a gjymtyra e njëjtë pyetese e dytë nuk ndahet me pikëpyetje, po me presje për paraqitur pyetjet e njëpasnjëshme si një tërësi e vetme:
Kush foli, Astriti? - pyeti ai.
§ 22. Po ashtu vihet pikëpyetja në fund të një periudhe me fjali të varura prej një fjalie ose disa fjalish kryesore pyetëse që e ruajnë intonacionin pyetës deri në fund:
Ti ç'u the kur dëgjove të flitnin kështu?
Po a e di, more djalë, se raste të tilla nuk të vijnë shpesh?
§ 23. Vihet pikëpyetja në fund të një periudhe që mbaron me një fjali pyetëse:
Ai është zverdhur në fytyrë, nuk e shikon?
Më vinte keq për të, po ç'të bëja?
Kam një hall të madh, do të më ndihmosh?
Hë, filloni, ç'pritni?
§ 24. Pikepyetja përdoret edhe pas një fjalie a periudhe të ndërkallur pyetëse që është vendosur brenda kllapash:
Do t'i tepronte ndonjë lek nga blerjet dhe (ku ta dish?) mund të pinte edhe një kafe.
Gjer para se ta zinte gjumi (pse, e pati zënë gjumi?), ai nuk i kishte dhënë asnjë përgjigje të prerë asaj pyetjeje.
Shenim. Nuk vihet pikepyetja pas një fjalie a periudhe pyetëse të ndërkallur të vënë midis dy vizash.
§ 25. Në ligjeratën e drejte nuk vihet pikëpyetje, po dy pikat në fund të fjalisë a të periudhës pyetëse që shpreh fjalët e autorit kur vjen para fjalëve që riprodhohen.
A të kujtohen fjalët e tij: "Lе t'i djegin shtëpitë, ne do t'i bëjmë më të bukura kur të çlirojmë Shqipërinë !"
§ 26. Në dialog pikëpyetja mund të përdoret në vend të fjalëve të një bashkëbiseduesi për të dhënë qëndrimin pritës a pyetës të tij kur ai s'ka të qartë diçka:
Më tërhoqi vëmendjen fizionomia e tij, - tha Gjergji.
- ?
- Fizionomia.
- Ç'është kjo fízionomi - pyeti Rrapoja.
- Lamtumirë, Fan, s'dihet në shihemi më!
- ?
Lamtumirë?... Mirupafshim!. - tha Fani.
§ 27. Vihet pikëpyetje në fund te titujve te veprave letrare, shkencore, të të përkohshmeve, të gazetave, të kapitujve etj. që janë fjali pyetëse:
Gazeta "Ku vemi?" ishte një ndër organet demokratike të viteve 1923-1924.
Shikojmë shfaqjen e estradës profesioniste të Durrësit «Kush e do fjalën?» dhe bëjmë pyetjen...
§ 28. Pikëpyetja, e vënë në kllapa, përdoret për të shprehur dyshimin, rezervën ndaj thënies së mëpërparme ose për të shprehur dyshimin për vërtetësinë a saktësinë e fjalës pranë së cilës shkruhet. Kjo ndodh sidomos kur referohen mendimet a fjalët e një tjetri ose kur citohet prej një vepre ndonjë copë, paragraf, periudhë, fjali a pjesë e tyre:
"Duke zbatuar programin e qeverisë, vendi ynë ka ecur me hapa vigane përpara ! " (?) nga fjala e kryeministrit X X. në mbledhjen e qeverisë dt ....
Shënim. Në botime shkencore, kur riprodhohen dokumente historike ose tekste në bazë të një origjinali dorëshkrim, ndiqet me pikëpyetjet në kllapa thënia ose fjala, leximi i së cilës ka qenë i vështirë dhe është i dyshimtë, i pasigurt riprodhimi i dhënë; po ashtu kur, sipas botuesit, nuk është i drejtë, i saktë formulimi ose fjala që është në origjinal:
Në vendet ku kапë vënë këmbën këta sundues,... kапë ndodhur fatkeqesi të atilla, saqë, nëpërmjet kufijve tërë lëvizje (?) sa e sa të mjerë dhe të dëshpëruar, sa e sa nëna e fëmijë kапë humbur jetën nëpër përrenj për t'i shpëtuar shpatës së armikut. (Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912, T. 1978).
§ 29. Përdoret pikëpyetja në vend të një date të panjohur ose pas një date të pasigurt:
Pjetër Bogdani (? - 1689) është ndër të parët që krijoi disa terma shkencore.
Konstandin Kristoforidhi (1827? - 1895) bëri një punë të madhe e serioze në shekullin e kaluar për studimin e gjuhës shqipe dhe për përpunimin e gjuhës sonë letrare.
§ 30. Në dialog, për të vënë në dukje karakterin e theksuar pyetës të një fjalie, mund të përdoren ndonjëherë edhe dy ose me shumë (zakonisht gjer në tri) pikëpyetje të shkruara njëra pas tjetrës:
- Unëëë ??? Po pse unë?
§ 31. Pas fjalive të mëvetësishme dhe periudhave pyetese të quajtura "retorike" (me të cilat nuk pyetet realisht për diçka, po vetëm shprehet me forcë të vecantë një pohim a mohim), vihet zakonisht një pikëpyetje e ndjekur nga një pikëçuditje, ashtu si në fjalitë pyetëse thirrmore. Ndonjëherë përdoret vetëm pikëpyetja, dhe kjo kur kërkohet të mos vihet në dukje karakteri thirrmor, kur në shqiptimin e fjalisë a të periudhës ndihet me shumë intonacioni pyetës :
E ku merr vesh ti nga jeta?!
Kush e mëson tërë atë tekst që i ka vënë autori në gojë?!
Mirëpo kush i zë besë fjalës së tij?
E si të mos jetë aq i dashur për mua ky vend?
|