|
Nyja e përparme nga Albaniada
Nga Fjalori i gjuhes Shqipe - Albaniada
SHKRIMI I NYJËS SË PËRPARME
Emrat në rasën gjinore shkruhen me nyjë të përparme (i, e, të, së):
ndërmarrja e ndërtimit, ndërmarrjes së ndërtimit;
dyqani i luleve, dyqanit të luleve;
rrethi i Tiranës, rrethit të Tiranës;
shtëpive të fshatit; arave të kooperativës;
ndërmamjeve të ndërtimit; puseve të naftës;
detyrave të ditës; mbjelljeve të vjeshtës etj.
Kur një emër i rasës gjinore vjen pas një emri tjetër në rasën gjinore a dhanore njëjës të pashquar, shkruhet me nyjën e përparme të, pavarësisht nga gjinia që ka emri para tij:
diploma e një studenti të Institutit Bujqësor;
diploma e një studenteje të degës elektrike;
norma e një punëtoreje të fabrikës së tjerrjes;
çmimi iu dorëzua një atleti të skundrës kombëtare;
leshi i një deleje të racës merinos;
banorët e një pjese të lagjeve të reja etj.
Kur një emër i rasës gjinore, pavarësisht nga gjinia që ka, vjen pas një emri mashkullor në rasën gjinore a dhanore të shquar njëjës, shkruhet me nyjën e përparme të, dhe kur ai vjen pas një emri femëror në po këto rasa, shkuhet me nyjën e pëparme së:
fuqia e krahut të punëtorëve;
historia e lufës së popullit shqiptar;
përvjetori i shpalljes së pavarësisë;
ndërtimi i fabrikës së këpucëve;
pas stinës së pranverës etj.
Kur një emër femëror në rasën gjinore, dhanore a rrjedhore njëjës përcaktohet nga dy ose më shumë mbiemra të nyjshëm (ose numërorë rreshtorë), mbiemri i dytë e të tjerët pas tij marrin nyjën të e jo së.
Po kështu veprohet edhe kur mbiemri i parë është i panyjshëm ose kur emri përcaktohet njëkohësisht nga një përemër pronor dhe nga një ose më shumë mbiemra të nyjshëm:
(i, e, të, së) fshatarësisë së varfër e të mesme;
(i, e, të, së) vajzës së urtë, të zellshme dhe të shkathët;
(i, e, të, së) fushës pjellore dhe të gjerë;
(i, e, të, së) cilësisë, së parë, të dytë e të tretë etj.;
(i, e, të, së) vajzës së tij të dashur;
(i, e, të, së) vajzës së tij të mirë e të sjellshme;
(i, e, të, së) motrës së saj të dashur;
(i, e, të, së) motrës së saj të dashur e të paharruar etj.
Shënim. Kur mbiemrat e nyjshëm (ose numërorët rreshtorë)ndodhen përpara emrit, përdoret nyja së e jo të:
lotët e së shkretës e të së pangushëlluarës nënë;
t'i caktohen normat së parës, së dytës dhe së tretës kategori të zërave të Enciklopedisë etj.
Kur një emër femëror në rasën gjinore, dhanore a rrjedhore njëjës përcaktohet nga një ose disa mbiemra dhe nga një ose disa emra në gjinore, fjala përcaktuese e dytë e të tjerat pas saj marrin nyjën të e jo së:
(i, e, të, së) fabrikës së re të tullave;
(i, e, të, së) rrjedhjes së poshtme të Vjosës dhe të Semanit
(i, e, të, së) klimës së butë e të qëndrueshme të Vlorës, të Himarës, të Sarandës etj.
Kur pas një emri femëror të shquar të rasës gjinore, dhanore a rrjedhore njëjës vijnë dy a më shumë emra femërorë në gjinore njëjës, nga këta të fundit i dyti e të tjerët pas tij marrin nyjën -së- e jo -të- në rastet kur këta përcaktojnë emrin në gjinore që ndodhet menjëherë përpara tyre; por në rastet kur këta përcaktojnë jo emrin në gjinore që ndodhet menjëherë përpara tyre, po atë që ndodhet para atij, shkruhen me nyjën të e jo së:
punimet e tharjes së kënetës së Jushës së Thumanës;
përmirësimi i cilësisë së racës së lopës së Shkodrës etj.;
zhvillimi i industrisë së naftës të Shqipërisë.(është fjala për industrinë [e naftës] të Shqipërisë);
Kur një emër femëror në gjinore njëjës përcaktohet nga dy ose më shumë emra të bashkërenditur, që janë po në rasën gjinore, emri i dytë përcaktues e të tjerët pas tij marrin nyjën -të- e jo -së-:
prodhimet e fushës së Korçës, të Myzeqesë, të Thumanës e të Zadrimës;
punimet e stinës së pranverës, të verës, të vjeshtës, të dimrit;
veshjet e krahinës së Mirditës dhe të Matit etj.
Kur dy emra në rasën gjinore ndjekin një emër në emërore njëjës, emri i dytë në gjinore, kur përcakton emrin në emërore, merr, sipas gjinisë së këtij të fundit, nyjën e përparme i për gjininë mashkullore dhe e për gjininë femërore:
rendi i ditës i Kongresit;
libri i gjuhës i klasës së shtatë;
ministri i Punëve të Jashtme i Republikës të Shqipërisë etj.;
fjala e nderit e shqiptarit;
Ministria e Tregëtisë e RSH;
stina e verës e këtij viti etj.
Kur emri i përcaktuar është në kallëzore, atëhere emri i dytë në gjinore merr nyjën të e jo së:
në rafinerinë e naftës të Cërrikut etj.
Përpara emrave femërorë të nyjshëm, në gjinore, dhanore e rrjedhore shkruhet nyja -së- për trajtën e shquar dhe nyja -të- për trajtën e pashquar:
orari i së mërkurës; tiparet e së folmes së Mirditës;
parashikimet e së ardhmes; kujtimet e së shkuarës;
përhapja e së resë; shpresat e së nesërmes etj.;
por: ndeshjet sportive të një të djelë;
tiparet e një të folmeje;
drejt një të ardhmeje të lumtur etj.
Shkruhen me -së- në gjinore, dhanore e rrjedhore të shquar edhe emrat femërorë të farefisnisë, kur përdoren me nyjë:
kujdesi i së bijës; i tha së motrës; mori letër prej së shoqes etj.
Kur një emër përcaktohet nga dy a më shumë emra të bashkërenditur të rasës gjinore, të gjithë këta përdoren zakonisht me nyjë të përparme:
Fakulteti i Historisë dhe i Filologjisë; (i, e, të, së) Fakultetit të Historisë dhe të Filologjisë;
Insituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë (i, e, të, së) Institutit të Gjuhësisë dhe të Letërsisë; Institutin e Gjuhësisë dhe të Letërsisë;
Ministria e Arsimit dhe e Kulturës; (i, e, të, së) Ministrisë së Arsimit dhe të Kulturës; Ministrinë e Arsimit dhe të Kulturës;
stacioni i makinave dhe i traktorëve; (i,, e, të, së) stacionit të makinave dhe të traktorëve; stacionin e makinave dhe të traktorëve;
shfrgtëzimi i vendburimeve të kromit, të bakrit dhe të hekur-nikelit;
shkollat e Tiranës, të Durrësit e të Elbasanit;
e drejta e votës, e fjalës, e mbledhies dhe e shtypit;
në interes të popullit e të atdheut;
organet e frymëmarrjes dhe të qarkullimit të gjakut etj.
Në rastet kur vijnë njëri pas tjetrit tre a më shumë emra të rasës gjinore të bashkërenditur pa lidhëza, nyja e përparme e emrit të dytë (kur nyja nuk ndryshon) ose të tretë (kur nyja ndryshon nga e në të) dhe e emrave të tjerë pasues shkruhet ose jo, duke u mbështetur në arsye të caktuara kuptimore ose stilistike:
prodhimi i drithërave, i duhanit, i pambukut, i perimeve, i patateve, i frutave;
shoqëritë e punonjësve të gjeologjisë, të naftës, të minierave, të degëve të tjera të industrisë e të artizanatit etj.;
kishte marrë zhvillim të madh ndërtimi i shtëpive, fabrikave, shkollave, rrugëve, urave;
është rritur numri i degëve, katedrave, laboratorëve dhe kabineteve etj.
Kur pas një emri femëror ndeshen dy nyja të përparme të rasës gjinore të gjinisë femërore (së së) e para nga këto shkruhet të:
hartimi i nxënëses të së pestës së tetëvjeçares;
ditëlindja e vajzës të së motrës;
dita e dasmës të së mbesës;
përpara forcës të së vërtetës;
kërkesat i përgjigjen detyrës të së sotmes e të së ardhmes etj.
Midis emrave mashkullorë që lakohen si femërorët(axhë, bacë, dajë, gegë, hoxhë, lalë, toskë; Bato, Gjokë, Kolë, Pimo, Sulë etj.) dhe emrave ose mbiemrave që i përcaktojnë ata, pas rasës emërore të të përcaktuarve shkruhet nyja i, ndërsa në gjinore, dhanore e rrjedhore shkruhet nyja së:
axha i Agimit, (i, e) axhës së Agimit;
daja i Zanës,(i, e) dajës së Zanës;
Leka i Madh, (i, e) Lekës së Madh;
Kola i Gjokës, (i, e) Kolës së Gjokës etj.
Mbiemrat e nyjshëm të shkallës pohore, kur vijnë pas një emri femëror në rasën gjinore a dhanore të trajtës së pashquar të njëjësit, shkruhen me nyjën të, ndërsa kur vijnë pas një emri në trajtën e shquar, shkruhen me nyjën së:
oborri i një shkolle të madhe;
shkalla e një shtëpie të lartë etj.;
oborri i shkollës së madhe;
shkalla e shtëpisë së lartë etj.
Në shkallën krahasore dhe në sipëroren e formuar me pjesëzën më mbiemrat e nyjshëm që përcaktojnë një emër femëror, në të gjitha rasat e zhdrejta të njëjësit shkruhen me nyjën e përparme të, ndërsa, kur ndodhen para emrit, shkruhen me nyjën së:
hartimi i një rregulloreje të re e më të plotë;
ndërtimi i një fabrike më të madhe se e para, etj.;
çmimi iu dha shkollës më të dalluar të rrethit;
prodhimi i verës më të mirë të vendit etj.;
prodhimi i më së mirës verë të vendit;
zbriti prej më së lartës majë të Shqipërisë etj.
Mbiemri i nyjshëm që ndjek një kundrinë të drejtë, të shprehur me një emër në kallëzore të shquar, merr nyjën e, kur është cilësor, dhe nyjën të, kur ka funksion kallëzuesor:
ndaji mollët e mëdha nga të voglat;
ngriti dorën e djathtë;
përdorini drejt trajtat e shkurtra të përemrit;
por:
i dua mollët të ëmbla;
e ka dorën të mbarë;
gënjeshtra i ka këmbët të shkurtra;
i ka rrënjët të thella etj.
Mbiemrat e nyjshëm që ndjekin një emër në rrjedhoren e pashquar të shumësit marrin nyjën të e jo së:
(prej) malesh, të larta;
(prej) lumenjsh të rrëmbyer;
(pas) kërkimesh të pandërprera;
(prej) krahinash të largëta;
(prej) erërash të forta etj.
Përemrat pronorë im, ime, yt, jote, ynë, jonë, juaj, qoftë kur përdoren thjesht si përemra, qoftë kur përcaktojnë një emër, shkruhen pa nyjë të përparme:
libri im; ky libër është imi;
puna ime; kjo punë është imja;
djali yt; yti është ky djalë?;
shtëpia jote; kjo shtëpi është jotja;
vendi ynë; ky vend është yni;
shkolla jonë; kjo shkollë është jona etj.
Përemrat pronorë e (të) mi, e (të) mia, e (të) tu, e (të) tua, i (e, të) tij, i (e, të) tyre, i (e, të) saj shkruhen me nyjë të përparme në të gjitha trajtat dhe përdorimet e tyre:
nxënësit e mi; fletoret e mia; djemtë e tu; duart e tua;
shkolla e tij; motra e saj; fshati i tyre; nëna e tyre etj.
|