Albaniada Fjalori Gjuhes Shqipe
Dhuroni
Menu

Kllapat
nga Albaniada

Nga Fjalori i gjuhes Shqipe - Albaniada

KLLAPAT ( ) [ ]

Kllapat veçojnë fjalë, fjali a periudha që shtihen në një fjali a periudhë për të shprehur vërejtje a sqarime plotësuese. Ato shënojnë një lidhje më të dobët nga lidhja e shprehur prej vizës. Nga të dyja llojet e kllapave, kllapat e rrumbullakëta kanë përdorim te rëndomtë, kurse kllapat katrore përdoren në raste të veçanta në tekste shkencore.


I. Kllapat e rrumbullakëta


§ 121. Mbyllen në kllapa fjalë e fjali të ndërkallura që dalin më pak të lidhura me pjesën tjetër të fjalisë a të periudhës.


Dy ditë më vonë uji u lëshua dhe në fillim tubat kishin qarë (shprehje e t'et), pastaj kishin rrjedhur si më parë.

Deti, i cili atë pranverë dukej sikur ishte afruar (atëherë shquheshin gjer shkumëzimet e bardha të dallgëve dhe barkat e vogla të peshkatarëve), tani qe larguar përsëri e nuk zinte në horizont veçse një vetull gjë.


Shënime 1. Kur fjala a fjalia e ndërkallur ndodhet në fund të fjalisë a të periudhës, shenja e pikësimit që i takon fjalisë a periudhës, vihet pas kllapës:


Gjenerali, si zuri vend mirë, ngaqë s'kish ç'të bënte, hapi fletoren. Fleta e parë mungonte (në shumicën e ditarëve që kishin gjetur, mungonin gjithmonë fletët e para).


2. Kur fjalia e ndërkallur është pyetëse ose thirrmore, në fund të saj, para kllapës, vihet shenja përkatëse e pikësimit, pikëpyetja ose pikëçuditja, dhe pas kllapës pika:


Oxhaqet, si në çdo minierë në botë, janë si arteriet e gjakut për njeriun (se vërtet, a ka, thua, minierë më të madhe se njeriu?).

Në diskun fluturues e kalonin kohën shumë mirë. Bisedonië, flinin (oh, ç'të fjetur!).


§ 122. Kllapat veçojnë edhe treguesit skenikë në veprat teatrale. Ndërkaq këto mund të dallohen nga pjesa tjetër e tekstit edhe nga karakteri i shkronjave (kursive ose të zeza).


Jonuzi - (Thërret.) Mira!

Mira - (Nga brenda) Urdhëro baba ! (Hyn.)

Jonuzi — Sillmë enën e ziftit këtu dhe thirrma Petritin. Shpejt!

(Mira hyn ne kuzhinë dhe del bashkë me Petritin, që mban enën e ziftit.)


§ 123. Mbyllen në kllapa fjalët që zbërthejnë një emërtim të shkurtuar ose shkurtimi i një emërtimi të plotë. Këto mund të jenë:


a) emërtime të plota të organizatave, shoqërive, institucioneve, simbole «kimike, në qoftë se vijnë pas shkurtimeve dhe anasjelltas shkurtimet, në qoftë se vijnë pas emërtimeve të plota; pseudonime, në qoftë se vijnë pas emrit të vërtetë dhe anasjelltas; emërtimi i dytë i një sendi, në qoftë se përdoret krahas emërtimit të parë ose anasjelltas; shpesh edhe mëntitujt, sidomos kur dallohen nga karakteri i shkronjave:


Ato ditë qarkulloi materiali i OKB-së (Organizata e Kombeve të Bashkuara) për këtë problem.

Nga këto kripëra duhen përmendur: kripa e gjellës (NaCl), sulfat natriumi (Na2SO4), klorur kalciumi (CaCl2), klorur magnezi (Mg2Cl2), sulfat magnezi (MgSO4) etj.

Millosh Gjergj Nikolla (Migjeni), Asdreni (Aleks Stavre Drenova).

Një sukses i merituar (Shënime për operën «Skënderbeu»)

Dasmë pa nuse (Komedi)


b) emri i një krahine a i një shteti kur vjen pas një emri gjeografik që i përket kësaj krahine a këtij shteti:


Kur arritëm në Boboshticë (Korçë), më në fund u shtruam të hamë..


c) emrat e përvegëm të huaj me drejtshkrimin e gjuhës përkatese kur jepen krahas transkriptimit të tij në gjuhën shqipe :


Shekspir (Shakespeare), Shopen (Chopin), Balzak (Balzac)


g) referimi i një citati kur jepet në vazhdim të tij (jo në fund të faqes), si edhe data e lindjes dhe data e vdekjes së një autori kur jepen krahas emrit:


«Në prag të vitit të ri shkollor u nis për në Manastir, për të marrë pjesë në Kongres. » (Musa Kraja, «Mati Logoreci», 2001, f. 78)

Naim Frashëri (1846-1900), Zef Serembe (1843-1901)


§ 124. Mund të mbyllet në kllapa edhe një pikëpyetje ose pikëçuditje, ose dhe të dyja së bashku kur përdoren për të shprehur mosbesimin, falsitetin, rezervën për vërtetësinë e asaj që është thënë më përpara (Shih § 24,§ 37):


Ç'kish ngjarë? «I zoti i shtëpisë», në rrethana të paqarta, ishte kapur nga policia (? !).


§ 125. Për të veçuar (kryesisht në nënndarje) një numër arab ose një shkronjë të vogël që tregon rendin e rasteve ose të argumenteve në një vepër shkencore, rregullore, udhëzues, kod etj., përdoret vetëm një kllapë, kllapa mbyllëse:


Nga sa u shtjellua në këtë kapitull, mund të theksohen këto përfundime të përgjithshme :

1) Në gjuhën shqipe, ashtu si edhe në mjaft gjuhë të tjera indoevropiane, sistemi i rasave është thjeshtuar...

2) Si rrjedhim i thjeshtimit të lakimit të emrit, në numrin shumës është krijuar një teme e posaçme...


1. Në mënyrë të veçantë Kongresi u bën thirrje:

a) Shkollës shqiptare...

b) Institucioneve të teksteve shkollore...

c) Shkrimtarëve shqiptare...

Kongresi shpreh besimin e tij të plotë se kjo thirrje do të përkrahet me entuziazëm...



II. Kllapat katrore


Në botimin e dokumenteve e të teksteve të vjetra kllapat katrore përdoren për të dalluar fjalët e shtuara nga botuesi i dokumentit a i tekstit nga fjalët e vetë dokumentit a të tekstit.


§ 126. Brenda kllapave katrore mund të mbyllen fjalë të shtuara nga botuesi, që e bëjnë me të qartë përmbajtjen:


Si rezultat [i vendimeve] të Kongresit [të Berlinit] disa pjesë të Shqipërisë iu dorëzuan duarve roberuese të armiqve tanë... (Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912, T. 1978).

Valiu të dërgohet na Stambolli e të urdhërohet na ministori [ministri] i Brendshem (Po aty).


§ 127. Brenda kllapave katrore mbyllet emri i një vendi (qyteti etj.) që njihet e përdoret sot, i shtuar nga botuesi krahas emrit të vjetër që përdoret në dokument:


Ne të nënshkruarit, të mërguar nga kazaja e Nishit, e Leskovacit, e Urkupit [Prokuplje] dhe e Krushumlisë me banim sot për sot në kazatë e Prizrenit, u bëjmë të ditur përfaqësuesve fuqiplotë në Kongres... (Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912, T. 1978).


§ 128. Mbyllen brenda kllapave katrore edhe tri pikat për të treguar që botuesi ka hequr fjalë nga dokumenti:


Kongresi zgjodhi një komision [...] për të vajtur ndë Korçë që të zgjedhin pleqësinë e shoqërisë «Përparimi» (Akte të Rilindjes Kombëtare Shqiptare 1878-1912, T. 1978).

Login Rreth NeshKontaktKonfidencaTermat
Logoreci.com