|
Dy pikat nga Albaniada
Nga Fjalori i gjuhes Shqipe - Albaniada
DY PIKAT (:)
Dy pikat paralajmërojnë fjalët që riprodhohen në ligjëratën e drejtë, ose numërimin, sqarimin a shpjegimin e diçkaje që është thënë ne pjesën tjetër të fjalisë a të periudhës.
§ 96. Dy pikat përdoren në ligjëratën e drejtë për të ndarë fjalët e autorit nga fjalët që riprodhohen, kur fjalët e autorit prijnë:
Gjergj Kastrioti e nxori pallën nga milli dhe thirri: «Për Arbërinë, o burra mbi ta!»
U dëgjua zëri i komandantit : «Zjarr!»
§ 97. Dy pikat vihen para onomatopeve që riprodhojnë tinguj e zhurma të ndryshme, kur vijnë pas fjalësh që i paralajmërojne :
Në oborr, në degët e dendura të një portokalli ia thoshte përvajshëm një kumri: gu-gu-gu!
Po! Unë këndoj gjithnjë që në mëngjes e gjer në mbrëmje, këndoj tërë jetën ... Ja dëgjo: cili-cili-cilik !
§ 98. Dy pikat vihen para një vargu gjymtyrësh homogjene kur prihen nga një emër i shoqëruar nga një numëror ose nga ndonjë fjalë tjetër që paralajmëron numërimin:
Rendet ekonomiko-shoqërore të vendeve të ndryshme, thoshte ai nuk janë dy, por tre: kapitalizmi, socializmi dhe demokracia.
Tri ngjarje themelore shërbenjë si nyja organizuese të romanit: nxjerrja e Shqipërisë në ankand, dekompozimi i Perandorisë Osmane, shpërthimi i fuqisë patriotike popullore.
Vera shkelte ku mundte: mbi barin e njomë, mbi rrëkezat e kristalta të burimeve, mbi fletët e thata të pyjeve.
§ 99. Dy pikat vihen pas fjalëve p.sh., si, si p.sh. e siç janë kur paralajmërojne numërimin dhe ndiqen nga një varg gjymtyrësh homogjene:
Në folklor pasqyrohen me bukuri të veçantë cilësitë më të mira të popullit tonë, si: ndjenja liridashëse, patriotizmi, besa, nderi, mikpritja, mençuria dhe përvoja e tij e pasur.
Më pas u krijuan qendra të reja industriale, si p.sh.: Patosi, Memaliaj, Bulqiza, Cërriku etj.
§ 100. Dy pikat vihen në fund të një formulimi ose rregulle, pas së cilës renditen një ose më shumë shembuj për ilustrim:
Trajtat foljore që formohen me "do të ..." e ruajnë rregullisht të-në në shkrim: do të shkoj, do të shkoja, do të kem shkuar (dhe jo do shkoj...).
§ 101. Në referime bibliografike dy pikat vihen pas emrit të autorit kur llagapi vendoset përpara:
Shkoza, D.: Yjet ndriçojnë, Tiranë 1979.
§ 102. Ndahen me dy pika dy fjali të bashkuara pa lidhëza, nga të cilat e para nuk ka kryefjalë ose kundrinë, kurse fjalia e dytë kryen funksionin e kryefjalës ose të kundrinës që mungon:
a) Iu kujtua mirë: duhej të këshillohej edhe me shokët.
U bë e qartë: dicka po ndodhte atë mëngjes brenda konakëve të vjetër të Tapillarëve.
b) Ju lajmërova me kohë: një gjë e tillë ju priste edhe ju.
Hedh sytë andej dhe shoh: njerëzit vinin grumbuj-grumbuj.
Përsëritim: kjo shkresë është tepër sekrete.
Ju porosit edhe një herë: mos jepni asnjë sqarim pa u kthyer unë!
§ 103. Me dy pika ndahen fjalitë e bashkuara pa lidhëza me marrëdhënie shtesore:
Tefta vuri re sahatin e vogël mbi tavoline: sapo kishte kapërcyer ora shtatë.
Padashur Stefani vështroi orën: po afrohej dreka.
Mësuesi pa orën: pas njëzet minutash duhej të fillonte mësimi.
Djaloshi ngadalëson hapat e mban vesh: sëpatat bien përmbi ahe e pisha e trungjet rrokullisen me rropamë.
§ 104. Ndahen me dy pika dy fjali të bashkuara pa lidhëza, nga të cilat e dyta zbërthen kuptimin e përgjithshëm e të papërcaktuar të një gjymtyre të fjalisë së parë ose gjithë fjalinë e parë:
Këtë bëmë edhe ne këtu sot: paraqitëm pikëpamjet tona.
Mua më është mbushur mendja për dicka: njeriu i fortë ia del mbanë kurdoherë.
Shtëpia nuk ishte e keqe: ishte në qendër të qytetit, kishte dy dhoma, një kuzhinë e një podrum.
Fëmijët e bariut loznin aty pranë lodrën e ujkut dhe të qenit: ujku sulmonte kopenë, qeni dhe barinjtë ia prisnin udhën dhe e ndiqnin.
I biri i kish gjithë të mirat: qe punëtor, nuk pinte, nuk prishte kot, vese nuk kishte.
§ 105. Dy pikat përdoren edhe për të ndarë dy fjali të bashkuara pa lidhëza kur e dyta tregon shkakun e së parës:
Duhet të bisedoj me të: s'rrihet më kështu.
Nusja e Stefanit po priste te dera: i shoqi dhe e bija ishin vonuar për drekë.
Djaloshi duhej të ishte zgjatur kohët e fundit: mëngët e xhaketës i rrinin të shkurtra.
Ç'më duhet palltoja: mjaft e kam pardësynë.
Lëreni të shkojë: dikush duhet të arrijë në Stamboll i gjallë që të lajmërojë sulltanin për fitoret tona.
Jo, më mirë shkojmë: jemi shumë vonë.
|